Biografia

Agni Dika ka lindur në Strugë, më dt. 21.2.1950. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka përfunduar në Strugë. Në vitin 1973 është diplomuar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinë. Menjëherë pas përfundimit të studimeve zgjidhet si asistent në Fakultetin Elektroteknik, në lëndë të ndryshme që ndëlidhen me fushën e Kompjuterikës. Njëkohësisht është regjistruar dhe i ka vazhduar studimet e shkallës së tretë, pranë Fakultetit Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, në fushën e Shkencave Kompjuterike, ku edhe e ka mbrojtur punimin e magjistraturës me titull: Procedurat për transformimin e adresave te memoriet hierarkike, në vitin 1979.

Në vitin 1982 Agni Dika ka qëndruar nëntë muaj për punë kërkimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Fakultetit Elektroteknik të Universitetit "George Washington" në Washington. Aty i është mundësuar shfrytëzimi i laboratoreve për eksperimentim me qarqe digjitale të ndryshme dhe programim në gjuhën e mikroprocesorit me qëllim të ndërlidhjes interaktive të kompjuterit dhe qarqeve digjitale.

Në vitin 1989 e ka mbrojtur disertacionin e doktoraturës me titull: Vlersimi i algoritmeve për analizën e qarqeve digjitale komplekse, në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, nga fusha e Shkencave Kompjuterike, duke i përfshirë në punim kryesisht rezultatet e punës kërkimore të tij gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë punës në fakultet, pas titullit fillestar Asistent, Agni Dika është zgjedhur me rradhë në titujt universitar: Ligjërues, Docent, Profesor Inordinar dhe në fund edhe Profesor Ordinar, për lëndë të ndryshme mësimore nga fusha e Kompjuterikës. Aktualisht, në studimet bazike është duke i ligjëruar lëndët: Qarqet digjitale dhe Algoritmet dhe strukturat e të dhënave, kurse në studimet Master i ligjëron lëndët: Teknikat e zhvillimit të programeve të orientuara në objekte, Dizajnimi logjik i qarqeve sekuenciale, si dhe Analiza e algoritmeve.

Në vitin 1994 është zgjedhur në Komisonin tre anëtarësh për themelimin e Universitetit të Tetovës. Pas hapjes së këtij Universiteti angazhohet në mbajtjen e mësimit në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe në disa fakultete tjera. Ka qenë dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, prorektor, si dhe një kohë edhe ushtrues i detyrës së rektorit të Universitetit të Tetovës.

Agni Dika prej themelimit ka mbajtur mësim edhe në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë (Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore), në gjuhën shqipe, në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën angleze, si në studimet baçelor, ashtu edhe në studimet master dhe studimet e doktoraturës. Gjithashtu është ftuar të mbajë mësim në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike pranë Universitetit të Prizrenit prej themelimit të tij.

Nën përkrahje të fondacionit Tempus, dhe në bashkëpunim me profesorë nga Univeristé de La Rochelle të Francës, si dhe Institute of Technology Carlow të Irlandës, është angazhuar në procesin mësimor të studimeve master, të cilët janë oraganizuar prej vitit 2005 deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe ka qëndruar për shkëmbim përvojash në Irlandë dhe në Francë, për të përfituar një eksperiencë të veçantë ndërkombëtare.

Agni Dika është njohës i mirë i gjuhës angleze, gjuhës maqedonase dhe gjuhës kroate, si dhe komunikon edhe në gjuhën turke.